Pa datë ende, por Gjykata Kushtetuese vendos të shqyrtojë në seancë vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. 

Sipas njoftimit të vetë GJK, në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim vendimi i Kuvendit të Shqipërisë nr.55/2021, datë 09.06.2021 “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Ky vendim i është dërguar Gjykatës Kushtetuese me shkresën nr.1368 prot., datë 14.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë dhe është regjistruar në këtë gjykatë në datën 14.06.2021, me numër të Regjistrit Themeltar 6 (K) 2021.

Gjykata e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme, ndërkohë që veprimtaria e saj për shqyrtimin e të gjitha çështjeve ka qenë e pezulluar për periudhën 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021, e cila përkon me lejen vjetore të gjyqtarëve, në bazë të nenit 18, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, bazuar në nenin 62 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues.

Radari.al