Nga Mero Baze

Përgjigja që Komisioni i Venecias i ka kthyer Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë lidhur me interpretimin që ajo kërkon rreth pavlefshmerise të zgjedhjeve lokale më 2019, tregon pasiguritë profesionale, dhe kompromiset politike të Gjykatës sonë Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Komisioni i Venecias e kishte interpretuar një herë çështjen e dekretit të shtyrjes së zgjedhjeve lokale nga Ilir Meta dhe ishte shprehur se Presidenti nuk ka të drejtë të shtyjë zgjedhjet, për shkak te klimës poltike dhe në atë përgjigje ajo jepte përgjigje shteruese dhe për çdo pikëpyetje rreth zgjedhjeve lokale.

Në një përgjigje në Tetor të vitit 2019, Komisioni i Venecias konkludoi se  fuqia e Presidentit të Shqipërisë për të caktuar datat e zgjedhjeve duhet të jetë në përputhje me kërkesat e rrepta kushtetuese dhe fuqinë për të caktuar datat e zgjedhjeve i jep Presidentit vetëm një diskrecion të kufizuar, veçanërisht të zgjedhë datat brenda kornizës së periudhave zgjedhore, duke mos i tejkaluar mandatet zgjedhore”, citohet në dokument.

“Një e drejtë e Presidentit për të shtyrë ose madje anuluar zgjedhjet është e diskutueshme dhe nuk mund të themelohet pa një bazë të veçantë ligjore. Është e nevojshme të ekzaminohet nëse një fuqi e tillë mund të rrjedhë në situata emergjente”, thuhet më tej.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetues e Shqipërisë pikësëpari duhet ta kishte refuzuar kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së shtyrjes së zgjedhjeve, pasi siç vëren dhe përgjigja e sotme e Komisionit të Venecias, nuk është kompetencë e saj.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka hyrë në këtë spirale për dy arsye. E para për shkak të mungesës së aftësive profesionale për ta vlerësuar kërkesën drejtuar asaj me standardin e një Gjykate Kushtetuese, dhe së dyti për shkak të detyrimeve që disa anëtarë të Gjykatës kanë personalisht ndaj Presidentit Ilir Meta. Duke ju drejtuar për herë të dytë Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese përveçse kërkonte të maskonte mungesën e kompetencës së saj profesionale, ka dashur të maskojë dhe preferencat personale të disa anëtareve të saj ndaj Ilir Metës, duke u fshehur pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Në përgjigjen e sotme, Komisioni i Vencias, e rithekson se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të shqyrtojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe se e drejta e partive për të marrë pjesë në zgjedhje nuk është detyrim. Bojkoti, sipas saj nuk është i pranueshëm dhe ai nuk mund të jetë një mjet që të cenojë periodicitetin e zgjedhjeve dhe aq më tepër të kthehet në një mekanizëm bllokues për zgjedhjet nga parti të caktuara.

Rekomandimet e sotme të Komisionit të Venecias, janë një leksion i vonuar profesional për Gjykatën tonë Kushtetuese, e cila edhe pse e kishte rekomandimin e mëparshëm të Komisionit të Venecias, ju ridrejtua asaj, për shkak të pasigurisë politike dhe profesionale që ajo ka në raport me Presidentin, i cili është subjekt i këtij precedenti të krijuar në vitin 2019.

Rekomandimet janë një shuplakë për Gjykatën Kushtetuese dhe jo më për Ilir Metën. Ai e ka marrë këtë shuplakë në tetor të vitit 2019, pasi Komisioni i Venecias i ktheu përgjigje Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë rreth dekretit të shtyrjes së zgjedhjeve. Këto rekamandime na kujtuan dhe një herë se sa e brishtë dhe ende e paformuar profesionalisht është Gjykata e re Kushtetuese, e cila dhe një vendim kaq të qartë, përpiqej ta shkruante me dorën e Komisionit të Venecias.

Radari.al