Nga Ardit Rada

Komisioni i Venecias ka vulosur debatin për zgjedhjet e organeve bashkiake, të mbajtura në Shqipëri më 30 Qershor 2019. Përmes opinionit që pritet të zbardhet i plotë, Venecia lë në fuqi zgjedhjet e mbajtura duke rrëzuar kështu pretendimet e Voltana Ademit në Gjykatë Kushtetuese për shpalljen e 30 qershorit si antikushtetues. Por edhe të presidentit Ilir Meta i cili shtyu njëanshmërisht zgjedhjet lokalë për në 13 tetor. Pra në thelb, Venecia i përgjigjet si Gjykatës Kushtetuse që i ka kërkuar ndihmë, ashtu edhe Opozitës dhe Presidentit se nuk ka arsye për përsëritjen e zgjedhjeve në tërësi.

Por që prej 30 Qershorit në Shqipëri kanë rrjedhur një sërë ngjarjesh që vërtetë nuk kanë goditur legjitimitetin e zgjedhjeve, por kanë krijuar future të paktën pesë bashki në ngërç sa i përket drejtimit të tyre. Në fillim Shkodra, më pas Vora dhe Durrësi kanë mbetur pa drejtues në krye të Bashkive. Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku humbën detyrën për shkak të problemeve me drejtësinë, ndërsa Valbona Sako u dorëhoq. Kësaj listë bashkish pa kryetarë iu shtua edhe Rrogozhina ku drejtuesi i saj i zgjedhur humbi jetën si edhe Lushnja ky kryetari Fatos Tushe u prangos.

Në këtë situatë, pushteti lokal i përbërë nga 61 bashki mund të themi se rreth 10 përqind të tijin e ka pa kryetarë të zgjedhur, por me emërime që nuk kanë dalë nga vota e populilt. Ndërkohë që Shkodra madje nuk ka as emërim, por një kryetare të mbetur në krye të bashkisë si pasojë e mish-mashit dhe neglizhencës së organeve.

Të ndodhur para këtij fakti, pyetja lind se çfarë do të bëhet me këto bashki, kur ligji parashikon saktë se duhen mbajtur zgjedhje të parakohshme. Për këtë, përgjigjen kryesore duhet ta japë Presidenti, i cili tashmë e ka përgjigjen edhe nga Venecia për 13 tetorin e tij. Me shpalljen e vakancave nga KQZ, për kryetarët e bashkive në fjalë, duhet që Ilir Meta të vendosë datën se kur qytetarët e këtyre bashkive do të mund të zgjedhin drejtuesit e tyre legjitimë. Duke u barazuar kështu me qytetarët e tjerë të vendit me votë të peshuar barabar.

Radari.al