Prej disa ditësh në rrjet është bërë virale një video nga Dance Reality Show-t, “T’ka mami yll”, ku koreografi Albi Nako dhe anëtarja tjetër e jurisë, Erjona Rusi bënë disa komente ndaj vajzës 8-vjeçare, Liana, duke u konsideruar si bullizëm.

Të ftuar në “ABC-ja e Pasdites”, ata kanë folur lidhur me këtë situatë, duke theksuar që për qëllim nuk ishte denigrimi i 8-vjeçares.

“Për të qenë të vërtetë, sot këtu do duhet të ishte i pranishëm babai i Lianës, po nuk e pa të arsyeshme për shkak të trysnisë që ka prej ditësh.

Liana është vajza e një miku tim dhe është dorëzuar tek unë vetëm për të hequr dorë nga ushqimi, jo për tu marrë me baletë. Ky ishte qëllimi. Që do të thotë ajo nuk ishte pjese e audicioneve. Ajo ishte thjeshtë pjese e spektaklit dhe do të jetë pjesë e shumë surprizave, jo për tu bullizuar.

Duke parë ftohtë ndoshta nuk mund të ishte një frazë e duhur, por nuk ishte qëllimi im denigrimi i një fëmije 7 vjeç.

Në rastin e Lianës ndoshta nuk ishte fraza e duhur, por aspak duke pasur për qëllim denigrimin e këtij personazhi. Thjesht të heqi dorë nga ushqimi”, tha ndër të tjera Albi.

Më tej teksa në ekran, u shfaqën disa foto të Lianës, e cila do të jetë bashkëprezantuese me Ilda Bejlerin, Albi u shpreh:

“Ti kujtojmë publikut që kjo që ju po nxirrni ju tani është xhiruar këtë të shtunë dhe jemi në avancë dy puntata”.

Ndërsa Erjona ka thënë se fjalitë në videon e bërë virale janë shkurtuar se nuk mund të lihej e gjithë biseda. Ajo ka bërë të qartë se vajzës nuk i ka thënë të qendrojë pa ngrënë.

“Unë nuk jam idiote dhe as monstër që ky fëmijë të rrijë pa ngrënë se duhet të këcejë. Ne kemi folur përpara duke i thënë se ne nuk duhet të hash sufllaqe. Madje ajo është fëmijë shumë i dashur dhe përpara se të xhironinm vinte na puthte, unë e quaja “qofte”. Po ta shohësh edhe te foto që kam publikuar, e kam përqafuar.

Shumë më kanë mallkuar, përmendur fëmijën tim, sulme nga më të tmerrshmet. Unë ndjeva që fjalitë që ashtu siç ishin se nuk mund të lihej e gjithë biseda, dukej sikur unë i kam thënë vajzës të rrijë pa ngrënë.

I kërkoj shumë falje familjes së Lianës se jam prind vetë se e di të gjithë këtë trysni që po kalojnë. Unë them faleminderit që Liana është e vogël dhe nuk është pjesë e rrjeteve sociale për të kuptuar këtë trysni.

Kam ndërgjegjen  e pastër që asgjë nuk e kam bërë qëllimisht. Kam 20 vjet karrierë dhe asnjëherë nuk e kam ngritur karrirën time me sulme. Jam e tronditur, jam e lënduar”, është shprehur ndër të tjera Rusi.

Radari.al