Grupi i ndihmës humanitare izraelite “IsraAID”, koordinoi muajin e kaluar evakuimin e 125 shtetasve afganëve përmes Shqipërisë. Lajmi është bërë publik dhe është konfirmuar nga mediat izraelite.

Grupi i të evakuuarve përfshinte gjyqtarë, çiklistë profesionistë, gazetarë, prezantues televizivë, aktivistë të të drejtave të njeriut, të afërm të diplomatëve afganë, artistë, oficerë të zbatimit të ligjit, si dhe shkencëtarë.

Ky grup u evakua në Shqipëri nga amerikanët, pas rënies së Kabulit në duart e talebanëve në muajin gusht. Refugjatët pritet të zhvendosen në një afat më të gjatë nga Izraeli në vende si Kanadaja, Franca dhe Zvicra, bëri me dije IsraAID.

Në ndërkohë, IsraAID ka punuar për të siguruar nevojat për 125 refugjatët e ardhur nga Shqipëria, si dhe mbi 1.000 të tjerët që ndodhen tashmë në vend.

Drejtori i Përgjithshëm i IsraAID, Yotam Politzer tha se “pas një procesi intensiv dhe të vështirë gjatë javëve të fundit, ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje të themi se fokusi ynë kryesor tani është që të sigurohemi që të evakuuarit të kenë gjithçka që u nevojitet ndërsa fillojnë procesin e ndërtimit të jetës për veten e tyre. ”

Mediat izraelite theksojnë gjithashtu se “IsraAID” mori pjesë në evakuimin e 42 grave dhe vajzave afgane nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e çuar numrin e përgjithshëm të evakuuarve në këto operacione në 167 persona.

IsraAID gjithashtu ka punuar edhe me gazetaren Danna Harman, e cila është shprehur se një gjë e mirë është fakti  se pati shumë reagime të mira pas thirrjes për të ndihmuar afganët.

“Ne na takon që të dëgjojmë dhe të respektojmë thirrjet që bëhen për ndihmë. Me sa mundemi duhet të shtrijmë dorën dhe të ofrojmë mbështetje”, ka thënë ajo.

Radari.al