ALBtelecom, kompania më e madhe e telekomunikacionit në Shqipëri, nënshkroi anëtarësimin në Parimet e Fuqizimit të Grave (WEPs), një iniciativë globale për barazinë gjinore, e promovuar nga UN Women dhe UN Global Compact. Për të shpallur këtë risi për publikun u organizua një event në Akademinë ALBtelecom.

Duke pasur një histori të gjatë në treg, ALBtelecom ka treguar ndër vite një angazhim të vazhdueshëm për promovimin e grave në mjediset e punës, duke vendosur kështu rekorde frymëzuese në përpjekjet për arritjen e barazinë gjinore në të gjithë industrinë.

Aktualisht në ALBtelecom 61% e punonjësve janë gra dhe 43% e pozicioneve drejtuese mbahet prej tyre, në sektorët më të rëndësishëm të kompanisë. Vetë ALBtelecom drejtohet nga një grua, duke shënuar një moment historik për vetë industrinë.

Në fjalimin e mbajtur gjatë eventit, CEO e ALBtelecom, Znj. Bilgen Aldan u shpreh krenare për drejtimin e një kompanie, e cila ofron dëshmi konkrete të promovimit të grave në vendin e punës dhe ftoi të gjithë aktorët e mjedisit të biznesit ta konsiderojnë barazinë gjinore si një nxitje drejt suksesit të ndërsjellë.

I pranishëm në event ishte edhe përfaqësuesi i UN Women Albania, Z.Michele Ribotta, i cili theksoi rolin kryesor që kompanitë e TIK si ALBtelecom mund të luajnë në tejkalimin e ndasisë ekzistuese digjitale mes gjinive, duke ofruar akses më të madh të grave dhe vajzave në aftësi, shërbime dhe vende pune në ekonominë digjitale.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Znj. Anisa Ruseti, e ftuar si folëse në event, vuri në dukje hendekun në nivelin e pagave midis burrave dhe grave, dhe shprehu mbështetjen e bashkisë në avancimin e mëtejshëm të politikave në mbështetje të çështjeve gjinore.

Firmosja e WEPs është një angazhim për nxitjen e praktikave të biznesit që fuqizojnë gratë dhe përshpejtojnë barazinë gjinore në vendin e punës, për tregun dhe komunitetin.

Radari.al