Ministria e Arsimit ka pezulluar nga detyra dy mësueset e përfshira në konfliktin e ditës së djeshme pranë shkollës “Andon Zako Cajupi”.

“Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë, pasi konfirmoi zyrtarisht nga organet kompetente përfshirjen e dy mësueseve të shkollës së mesme “Andon Zako Cajupi” në konfliktin ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës, ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen e komisionin e etikës dhe disiplinës për vlerësimin e rastit në fjalë. Komisioni menjëherë pas kërkesës mori vendimin për pezullimin e dy mësueseve nga puna deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Në njoftimin e saj publik Zyra Arsimore thekson se:

“Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cënojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi”.

Më herët, Policia e Tiranës zbardhi ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm.

Përplasja mes dy mësueseve të shkollës ‘Çajupi’, për vend qëndrim në lokal ka çuar në përfshirjen në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmve të tyre.

Kjo përplasje çoi në pranga një 39 vjeçar, i cili gjatë konfliktit ka qëlluar në ajër me armë zjarri, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Një 32 vjeçar, i afërmi i shtetases D.T., përfundoi në spital nga dëmtimet e marra dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq, policia procedoi penalisht pesë prej tyre, ndërsa shpalli në kërkim një tjetër shtetas.

Radari.al