Shtohen akoma dhe më tepër dyshimet se në prapaskenë po gatuhet një pazar i pistë për të mos lejuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Gjykata Kushtetuese prej 4 muajsh ka marrë në dorë vendimin e Kuvendit, por ende nuk ka një vendim se çfarë po ndodh. Por nga ana tjetër kemi disa institucione të tjera që po pengojnë këtë proces. Pak ditë më parë është denoncuar fakti se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk po hap dot dosjet për kandidatët e 3 vendeve vakante në Kushtetuese, pasi anëtarët nuk janë pajisur me certifikata sigurie. Duke u interesuar sërish pranë këtij institucioni dhe situata mbetet e njëjta. Disa prej anëtarëve nuk janë pajisur sërish me certifikata sigurie dhe kjo ka bllokuar punën. Por interesant është fakti se DSIK që duhet të japë certifikatat e sigurisë varet nga Kryeministria. Pra duket se qeveria po bllokon plotësimin e Kushtetueses me 9 anëtarë. Problemi i dytë qëndron te Këshilli i Lartë Gjyqësor. Sipas ligjit, 3 anëtarë në Kushtetuese i emëron Gjykata e Lartë, 3 Kuvendi dhe 3 Presidenca. Dy institucionet e fundit e kanë mbyllur detyrën dhe i takon Gjykatës së Lartë të bëjë emërimin e 3 emrave të fundit. Por që ta bëjë këtë i duhen 10 anëtarë. Deri tani janë emëruar vetëm 9 dhe mungon anëtari i fundit. Mirëpo dje ka dalë hije skandali me mbajtjen peng të anëtarit të fundit. KLGJ ka kualifikuar Dariel Sinën, por prej një viti ai nuk po emërohet.

Fshehja e dokumenteve

Sipas një rrjeti investigativ, i cili ka treguar dje se KLGJ ka mbajtur të fshehtë të gjithë procesin që është ndjekur për zotin Sina. Prej dhjetorit 2020, kishte kërkuar nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi kopje të katër procesverbaleve dhe të regjistrimit audio të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor ku bëhej diskutimi për këtë çështje. Edhe pse sipas ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, procesverbalet dhe mbledhjet e KLGJ-së duhet të bëhen në mënyrë proaktive publike, Këshilli refuzoi në mënyrë të përsëritur kërkesat e BIRN për të bërë transparencë, duke dhënë një numër justifikimesh. Fillimisht, KLGJ deklaroi se procesverbalet përmbanin të dhëna “personale dhe tregtare” për kandidatin për në Gjykatën e Lartë, më vonë pohoi se nuk i kishte regjistruar disa nga mbledhjet dhe në një fazë të tretë, pretendoi se këto dokumente përmbanin të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror”. Pas padisë në Gjykatën Administrative të Tiranës, institucioni që konsiderohet si “qeveria e gjyqësorit”, e ndryshoi përsëri qasjen e tij juridike dhe dorëzoi katër procesverbalet pjesërisht të anonimizuara. Pritet që rrjeti investigativ të nxjerrë detaje se përse po mbahet peng prej një viti plotësimi i kuorumit të nevojshëm në Gjykatën e Lartë. Dyshimet janë se kemi pazare të forta në prapaskenë që Gjykata Kushtetuese të mos jetë me 9 anëtarë në momentin që do të gjykojë shkarkimin e Metës.

Radari.al