Mediat sociale janë bërë pjesë e jetës sonë deri në pikën që janë bërë edhe litar shpëtimi për shumë vende të botës. Pas rënies totale të Facebook dhe kompanive të tjera që ajo zotëron, Instagram e WhatsApp, ekspertët janë të mendimit që gjigandi teknologjik duhet të bëjë më shumë që të mbrojë sistemet e saj nga dështimet.

Rregullatorët në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe BE po mbledhin prova kundër praktikave antikonkurruese të Facebook-ut, impaktit të saj në shëndetin mendor tek fëmijët dhe impaktit në destabilizimin e demokracive. The Guardian shkruan se “blackout”-i i 4 Tetorit duhet të shërbejë si paralajmërim pasi jeta e miliona njerëzve po varet vetëm nga një media sociale e vetme.

Në një analizë, media britanike thekson se si kanë ndikuar rrjetet sociale tek jetesa e përditshme. Humza Jilani ka dëshmuar se si WhatsApp u bë një portë e rëndësishme për personat e ngecur në një kamp në Amerikën Qendrore që të kërkonin ndihmë mjekësore dhe ligjore. Për miliona njerëz, WhatApp është më shumë se një platformë mesazhesh. Për një pjesë është burim të ardhurash, për një tjetër mënyrë komunikimi për të gjetur ndihmë për çështje të ndryshe etj.

Por kur serverat e Facebook ranë më 4 Tetor, edhe këto opsione ranë për njerëzit. Celularët heshtën, nuk kishte më zile që njoftonin mesazhe. Në një kamp në Meksikë, refugjatët nuk kishin më mundësi që të flisnin me përfaqësuesit e tyre ligjorë. Disa të tjerëve iu ndërprenë shërbimet mjekësore. Mbi 8 mijë kilometra më larg, në Pakistan, WhatsApp përdoret si një mjet shumë i rëndësishëm komercial. Ky rrjet social është ai që heq barrierat dhe rrugët e gjata për të shkuar tek ushqimi apo dhe përdorimi i ilaçeve. Por me rënien e serverave u shkëput edhe zinxhiri që ishte krijuar.

Facebook e ka të nevojshme krijimin e një rruge të fortë sigurie sidomos kur në të varet jeta e shumë njerëzve. Megjithatë hetimi i nisur ndaj kompanisë do të vlerësojë nëse gjigandi teknologjik mund të klasifikohet si monopol, një lojë e rrezikshme që në fakt luan kjo media sociale për të dominuar edhe nëpërmjet WhatsApp. Rastësisht ose nëpërmjet dorës së ndonjë aktori keqdashës, një rënie më e zgjatur është e pashmangshme në të ardhmen. Dhe kur të godasë, miliona jetë do të goditen së bashku me ata serverë.

Radari.al