Edhe pse të ardhurat mesatare të shqiptarëve janë 5 herë më të ulëtat se ata të një shtetasi europian, interesi i kredisë është 3.8% më i lartë. Pavarësisht kësaj abuzimi më i madh ndodh në sektorin e mikrofinancave, ky është ai sektor që për të marrë një kredi, qytetarit nuk i kërkohet barrë hipotekore, apo burim të ardhurash, paratë në këto institucione merren duke paraqitur vetëm kartën e ID. Paratë që lehtë, kanë dhe interesin më të lartë në treg.

“Referuar të dhënave zyrtare në shtetin italian, paga mesatare bruto e një shtetasi italian është 2200 euro në muaj. Ndërkohë në Shqipëri është 468 Euro në muaj. Sipas Bankës Botërore për vitin 2020 interesi huadhënieve për shtetin italian është diku tek 2.3%, ndërsa për shtetin shqiptar është 6.1%. Që do të thotë edhe pse shqiptarët paguhen pesë herë më pak se shtetasit italianë, ata kanë një kosto më të lartë kredie. Problematika thellohet akoma më tepër nëse i referohemi sektorit të mikrofinancave ku interesat e kredisë shkojnë edhe mbi 40%. Ky është një interes i papërballueshëm për shqiptarët, pasi kështu kalojnë në kushtet e mbijetesës”, tha ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Të marrësh një kredi tek sektori i mikrofinanacave, interesi që duhet të paguajë konsumatori është i njëjtë me ato me fajdeve. Kur interesi është tepër i lartë automatikisht krijohet dhe një barrë e madhe borxhi, për pasojë shqiptarët varfërohen.

“Shqiptarët janë kredimarrës të këqinj sidomos për kreditë konsumatore, të cilat nuk kanë një kolateral ndaj dhe për këtë arsye interesat e kredive në kreditë konsumatore kanë nivel më të lartë interesi se sa kreditë hipotekore”, shtoi Radonshiqi.

Radari.al