Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është organizuar ceremonia e prezantimit të drejtorit të ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Në fjalën e tij të parë si drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit, Nano u shpreh se në profesionin e tij ishte frymëzuar nga i ati, ish-oficer policie.

Ai tha se do të inkurajojë bashkëpunimin e qytetarëve me policinë në mënyrë që ata ta konsiderojnë këtë të fundit një partner në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Kreu i ri i policisë u zotua se do të çojë përpara reformat në policinë e shtetit me synimin për një polici më të trajnuar, bazuar në meritokraci.

“Gjithashtu, prioriteti im do të jetë intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend, partnerët ndërkombëtarë dhe misionet që asistojnë Policinë shqiptare.

Ne synojmë një polici më të trajnuar, me kapacitete të shtuara në fushën e dixhitalizimit, mirëmenaxhim të çdo burimi njerëzor bazuar në meritokraci, të cilat janë parakushtet për një hap cilësor, çka do ta rendiste shpejt Policinë shqiptare, cilësisht, krah policive evropiane.

Unë ju garantoj se me angazhimin tim maksimal do të vijoj më tej në çuarjen përpara të reformave në Policinë e Shtetit, duke synuar rritjen e aftësive profesionale dhe operacionale, në përmbushje të misionit kushtetues që ajo ka”, tha kreu i ri i policisë.

Radari.al