Një grup qytetarësh shkodranë protestuan ditën e sotme, duke qenë kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, ushqimeve, si dhe për rritjen qesharake, siç e cilësojnë ata, të pensioneve. Kjo protestë u organizua nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dega Shkodër, në sheshin para bashkisë së qytetit verior.

Protestuesit i kërkuan qeverisë që të marrë masa për uljen e çmimit të energjisë dhe të mos lejohet rritja e mëtejshme, siç paralajmëroi kryeministri Rama, si dhe uljen e çmimeve për ushqimet apo edhe rritjen dinjitoze të pensioneve. Protestuesit u shprehën se qytetarët nuk dalin në protestë nga frika, ndërsa bënë thirrje që në protestat e ardhshme të jenë një numër shumë më i madh.

Protestuesit ishin me flamurin shqiptar dhe pankarta në duar. Protesta zgjati për 30 minuta në sheshin para bashkisë Shkodër. Mes protestuesve ishin të moshuar pensioniste, sindikalistë, studentë, përfaqësues të biznesit të vogël, persona të trajtuar me ndihmë ekonomike, si dhe qytetarë të thjeshtë.

Radari.al