Erjon Braçe dhe Taulant Balla, i pari si zv/kryeministër dhe tjetri si sekretar i përgjithshëm i PS u shkarkuan nga kryeministri-kryetar Edi Rama.

Pse dhe kush ndikoi nga grupet në PS dhe nga lobet e biznesit mbetet akoma një pikëpyetje e madhe, porse një analizë e ftohtë tregon se ata nuk ikën nga paaftësia në punët e tyre respektive.

Zoti Braçe e nuhati para krijimit të qeverisë së re që do ta hiqnin grupet e oligarkëve ndaj reagoi publikisht me nervin e ish-gazetarit të vjetër duke e lajmëruar se nuk do të jetë më në kabinetin e ri qeveritar, kur nuk ishte akuzuar për afera korrupsioni apo shpërdorim detyre.

Erjon Braçe edhe kur ishte zv/kryeministër reagonte me aqsa kishte fuqi kundër oligarkëve dhe grupëve të biznesit që shfaqnin ndikim mbi qeverinë e PS-së. Shumëkush mendonte se mos ndofta ishte një lojë surreliane, ku gjoja kryeministri i thoshte vetë Braçes që futi ndonjë kritikë sa të krijohet ideja se ka diversitet në qeveri. Por tashmë pas shkarkimit të Erjon Braçes (ndonëse në PS kanë përhapur gjë tjetër) kuptohet se nuk kanë qenë lojë reagimet e ish-zv/kryeministrit.

Statusi i Braçes pak ditë përpara se të krijohej qeveria si dhe statusi tjetër kur në vend të tij erdhi Arben Ahmetaj ose “tigri i eurove”, ku as me pak e as me shumë Braçe shkruante se “nuk hyra si hajdut dhe as nuk dola si hajdut” ishin për ata që kuptonin politikë, një goditje direkte për emrin që e zëvëndësoi në karriken e zv/kryeministrit.

Ndërkohë si me marifet disa portale proqeverisë apo me saktë që ushqehen çdo fundmuaji nga qeveria apo nga disa biznese që kanë marrë koncensione qeveritare, filluan të lakojnë e të hedhin në rrjetet sociale se “Erjon Braçe është shkarkuar se ka firmosur për inceneratorin e Fierit…”, etj etj. Dhe se SPAK-u e ka nën hetim!

Pra kësaj i thonë të të bëjnë “edhe me turp, edhe me barrë”! Për Erjon Braçen mund të thuhet ç’të duash në selinë e PS-së apo përreth Bashkisë së Tiranës, por askush nuk thotë se është i korruptuar. Natyrisht që ai e di të vertetën në këtë rast, por ne themi nisur nga ndjesia publike për të si politikan.

E verteta mbetet se ai u largua nga grupet e interesit në Bashkinë e Tiranës dhe nga një oligark pasi kur ishte në qeveri Braçe si zv/kryeministër nuk e kishte lejuar të prekte buxhetin e shtetit.

Ndërkohë pas largimit të Erjonit, ndaj tij ka filluar loja rilandase duke përhapur thashethemnajën se “SPAK-u po e heton”. Pra larg tij!

Braçe duket i vogël, por nga natyra dhe forca e besimit në atë çka thotë ka forcë dhe besueshmeri, por në PS ka kohë që asnjeri nuk bëzan.

Ndërsa shkarkimi i Taluant Ballës ishte një gjemë tjetër në kupolën e PS-së, duke ditur raportet publike të tij me kryeministrin Rama.

Largimi-shkarkim erdhi si një rrufe në qiell të hapur, por në PS kanë përhapur se gjoja e larguan “ata të rrugës së Elbasanit”, tamam me të njëjtën skemë që përhapën në kupolën e PS-së kur kryeministri largoi apo pranoi dorëheqjen e ministrit të brendshëm të kohës, deputetin Fatmir Xhafa, i cili realisht mbetet ministri më proamerikan që ka nxjerrë ajo ministri dhe vetë PS-ja, tash 30 vite.

Radari.al