Bashkimi Europian, vijon të këmbëngulë tek hetimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting. Një ndër kushtet e negociatave është kjo çështje dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca e ka bërë të ditur sërish dje. Gjatë konferencës “Roli i institucioneve vetëqeverisëse të drejtësisë në forcimin e profesionalizmit dhe performancës së gjyqësorit”, në fjalën e tij Soreca u shpreh, se janë rreth 23 emra, të cilët janë nën hetim nga SPAK. “Kjo reformë ka qenë thelbësore që Shqipëria të ecë përpara larg së kaluarës së saj, drejt një të ardhmeje europiane. Reforma në drejtësi ka nisur të sjellë rezultate konkrete, të cilat do të kishin qenë të paimagjinueshme vetëm disa vite më parë. Për shembull, ndjekjet penale kundër 23 ish-magjistratëve të shkarkuar nga vetingu janë në zhvillim e sipër, përfshirë 10 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa SPAK-u ka dërguar për gjykim çështjet e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të dy gjykatave më të larta”, tha ai. Ndër të tjera, ambasadori Soreca, u shpreh se pasuritë të cilat janë vendosur nëpërmjet korrupsionit duhet që të konfiskohen. Ai theksoi, se duhet që të gjitha rastet e hetimeve duhet të trajtohen. “Asetet e fituara falë korrupsionit të konfiskohen dhe rikthehen në sferën e ligjshmërisë. Ka shumë dosje të rëndësishme që duhet të trajtohen me urgjencë. Është thelbësore të angazhohemi për garantimin e efikasitetit të gjykatave, përfshirë përmes përfundimit të punës në vazhdim për hartën gjyqësore dhe sistemin e ri të menaxhimit të rasteve. Është urgjente të garantojmë përfundimin e procesit të vetingut: është thelbësore që të gjitha rastet e vetingut në pritje të përfundojnë në periudhën më të shkurtër të mundshme kohore, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit”, tha ai.

Soreca flet për reformën në drejtësi

Ambasadori Luigi Soreca, teksa foli për reformën në drejtësi u shpreh se reforma në drejtësi duhet që të çohet deri në fund. Ai vijoi më tej, duke thënë se kërkon që institucionet e reja të drejtësisë duhet kompetencë dhe udhëheqje. “Tani kemi hyrë në një fazë të re të reformës në drejtësi. Në këtë fazë, fokusi duhet të jetë te përfundimi i reformës në drejtësi. Kjo do të kërkojë forcë dhe ndonjëherë pragmatizëm. Siç e kam thënë në rastet e mëparshme, do të kërkojë elasticitet, kompetencë dhe udhëheqje nga institucionet e reja të drejtësisë. Parlamenti i ri dhe qeveria e re kanë përgjegjësi të rëndësishme në këtë drejtim dhe BE-ja është e gatshme të mbështesë çdo përpjekje për këtë qëllim”, deklaroi ai. Sakaq, ambasadori u shpreh se reforma do të jetë prioritet i BE. Ai theksoi, se mbështetja e BE do të jetë gjithmonë.“Reforma në drejtësi është dhe do të mbetet një nga përparësitë kryesore për BE-në në Shqipëri. Investimi i BE-së në sektor flet vetë: 50 milionë euro janë investuar deri tani. Një fazë e re ndihme për institucionet e ndryshme gjyqësore dhe për Ministrinë e Drejtësisë do të jetë funksionale në fillim të vitit të ardhshëm, me një buxhet shtesë prej 9 milionë eurosh”, tha Soreca.

Radari.al