Në seancën e së premtes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u paraqitën dy ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, të cilët do të ekzaminojnë nëse nënshkrimet në kontratat e blerjes së një apartamenti dhe mandat-pagesat i përkasin apo jo gjyqtarit Sokol Ngresi. Gjyqtari i Apelit të Vlorës po përballet në KPA me një denoncim që ngre dyshime për fshehje apartamenti. Në seancën e mëparshme dëshmoi administratori i shoqërisë “Afa Konstruksion”, Flamur Kadëna, i cili tha se kontrata parapake, mandat pagesat dhe kontrata e revokimit ishin nënshkruar nga gjyqtari Sokol Ngresi. Kadëna deklaroi se nuk i kujtohej nëse subjekti kishte pasur tendencë për ta fshehur pasurinë duke kryer pagesat në zyrë dhe jo nëpërmjet bankës, por shtoi se Ngresi i kishte thënë se do të aplikonte për vizë në Kanada dhe se donte ta paraqiste këtë dokument.

Ngresi i kundërshtoi deklarimet e Kadënës si të pavërteta, duke pretenduar se nënshkrimi ishte i falsifikuar. Ai pretendoi se gjithçka bëhej për shkak se mund të kishte cenuar interesat e administratorit të kësaj shoqërie dhe të “xhelozisë” dhe “ligësisë” së një ish-kolegeje të shkarkuar në Apelin e Vlorës, e cila sipas tij kishte lidhje të ngushta me Kadënën.

Të premten më 1 tetor, subjekti paraqiti si provë një deklaratë noteriale të një noteri kanadez e vitit 2013, që sipas tij provon se aplikimi për vizë kanadeze ishte kryer një vit e gjysmë para datës që figuron se është nënshkruar kontrata paraprake për blerjen e apartamentit. Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe punon prej vitit 2005 në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në dhjetor 2020, me argumentin se bilancet negative ishin të vogla dhe të pamjaftueshme për të vendosur masë disiplinore. Vendimi i Komisionit u ankimua nga komisioneri Florian Ballhysa, i cili argumenton se Ngresi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për gjendjen e kursimeve cash në vitin 2003 dhe për blerjen e dy automjeteve. Më vonë u paraqit edhe një denoncim që ngre dyshime për mosdeklarimin e një apartamenti.

Radari.al