Dje Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht kërkesën për ngritjen e komisioneve hetimore sa i përket çështjes “Becchetti” dhe çështjes së inceneratorëve. Ishte nënkryetarja Grida Duma, e cila në një prononcim për mediat u shpreh se komisioni për çështjen “Becchetti” ka si qëllim kontrollin e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publikë lidhur me këtë dëm. Duma akuzoi kryeministrin Edi Rama teksa deklaroi se komisioni do të qartësojë cilët janë fajtorët. “Sot protokolluam kërkesën zyrtare të PD për ngritjen e komisionit hetimor, për çështjen Becchetti. Komisioni ka në fokus kontrollin e veprimeve dhe mosveprimeve të funksionarëve publik për këtë dëm. Pse duhet të paguajmë këtë borxh, për një sagë që nisi nga Rama? Rama dhe në kohën kur çështja ishte në gjykim nuk bënte gjë tjetër veçse bërtiste, duke influencuar në drejtësinë e re. Për t’i dhënë sistemit të drejtësisë shansin për të paguar borxhin, ne si anëtar duam që të shtrojmë qartësi për ata që janë shkaktarët, pasi shqiptarët nuk duhet ta paguajnë”, tha ajo. Po ashtu edhe nënkryetarja Jorida Tabaku foli rreth komisionit për çështjen e inceneratorëve. Sipas Tabakut, qeveria i ka dhënë një projekt korruptiv një kompanie duke shkelur ligjet e konkurrencës duke e vendosur qeverinë në shërbim të vetëm një biznesi. “Bashkë me një ekip deputetësh e ekspertësh sapo depozituam kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Qeveria në shkelje të ligjit e Kushtetutës ka dhënë një projekt korruptiv një kompanie pa asnjë lidhje, projektin e inceneratorëve, duke shkelur të gjitha ligjet dhe të konkurrencës dhe duke e vënë qeverinë në shërbim të një biznesi të vetëm, kompanisë së Klodian Mërtiri kontratën koncesionare. Plehrat u dogjën për t’i dhënë kësaj kompanie fonde shtesë. Mbi 300 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë”, tha ajo.

Radari.al