Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion ka shpallur mos kompetencën për çështjen e Patronazhistëve dhe ja ka kaluar dosjen Prokurorisë së Tiranës. Sipas arsyetimit të SPAK thuhet se nuk ka prova që të dëshmojnë se të dhënat e më shumë se 900 mijë qytetarëve janë përdorur për korrupsion zgjedhor.

“Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë moment, konstatohet se përgjatë gjithë kohës së kryerjes së këtij hetimi, nuk është mundësuar gjetja e asnjë të dhëne, prove apo indicie, që të jetë konsumuar vepra penale e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Nuk rezulton që ndonjë veprim korruptiv konkret në fushën zgjedhore, të ketë lindur apo të ketë marrë jetë, si pasojë e të dhënave që janë pasqyruar në bazën e sipërcituar, të publikuar.”

Sipas SPAK nga tërësia e ankesave që kanë mbërritur në kuadrin e këtij procedimi penal, shqetësimi që ka karakterizuar këtë fenomen, ka të bëjë me përhapjen e të dhënave personale.

“Ajo që deri më tani mbështet në provat e administruara, ka të bëjë me faktin se ekziston dyshimi, se punonjës të cilët kanë mundësi aksesi në bazën e të dhënave shtetërore, mund të kenë keqpërdorur atributet që u janë ofruar nga kuadri ligjor rregullues, duke vepruar në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit.

Për këtë arsye vlerësohet se duhet të procedohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës penale, nga ajo për të cilën ky procedim penal u regjistrua e konkretisht nga neni 328 i K.Penal në atë të parashikuar nga neni 192/b i K.Penal “Hyrja e paautorizuar kompjuterike.”

Radari.al