“Demokracia ka nevojë për qytetarë aktivë dhe të mirë informuar që marrin pjesë dhe angazhohen”. Kështu tha kryeministri Albin Kurti në takimin virtual të bordit të Aleancës Progresive (Progressive Alliance).

Ai theksoi domosdoshmërinë për arsimim të mirë dhe media të lira që kërkojnë të vërtetën, nxjerrin në pah korrupsionin dhe skandalet dhe mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e zgjedhur.

Kryeministri Kurti vuri theksin te dy çështjet më urgjente për qytetarët, të cilave u përgjigjet Programi Qeverisës: puna dhe drejtësia.

“Qytetarët duan një shtet demokratik që respekton dhe mbron të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, që funksionon bazuar në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe lirinë e fjalës. Ata duan një sistem të pavarur dhe profesional të drejtësisë që jep vërtetë drejtësi dhe një qeveri që punon për të gjithë, pavarësisht prejardhjes dhe të ardhurave,” tha ai.

Aleanca Progresive është një aleancë ndërkombëtare politike e partive dhe organizatave politike socialdemokrate dhe progresive.

Fjala e kryeministrit Kurti në mbledhjen e bordit të Aleancës Progresive:

Së pari, më lejoni t’i përgëzoj socialdemokratët tanë në Gjermani dhe Norvegji për fitoret e tyre në zgjedhje. Është një mundësi e madhe për fuqizimin dhe promovimin e demokracisë sociale në të gjithë Evropën.

Faleminderit që më ftuat në këtë takim të Bordit të Aleancës Progresive.

Është mirë të jesh pjesë e kësaj familje. Për ne përbën njohje të luftës sonë të gjatë për demokraci, barazi dhe drejtësi sociale. Demokracia, liria, barazia, solidariteti, mirëqenia sociale dhe ndërkombëtarizimi nuk janë vetëm fjalë në letër, por ideale që na lidhin së bashku. Jemi pjesë e kësaj familje të madhe dhe progresive jo sepse mendojmë se është e mirë për imazhin tonë, por sepse besojmë në këto vlera.

Dua t’i paraqes shkurtimisht tri çështje. Së pari për lëvizjen tonë dhe qeverinë tonë të re, së dyti për gjendjen e demokracisë sonë dhe së treti për nevojën për paqe të qëndrueshme.

Siç mund ta dini disa prej jush, lëvizja jonë filloi në një kohë të vështirë, në një dhomë të vogël në Prishtinë, disa vjet pasi u lirova nga burgu i Serbisë. Ishim disa njerëz që, si shumë të tjerë, nuk ishin të kënaqur me status quo-në, rezultatet e luftës dhe drejtimin e vendit dhe ne donim t’i ndryshonim gjërat. Ne u angazhuam dhe protestuam, sepse donim që idetë tona dhe kauza jonë të dëgjoheshin. 15 vjet më vonë, pas shumë protestave dhe demonstratave, arrestimeve dhe zgjedhjeve, kur ndodhën kaq shumë procese që formësuan vendin tonë dhe ne, më në fund erdhëm në pushtet. Ishte data 6 tetor 2019, por për shkak të disa ngjarjeve fatkeqe, ajo qeveri ishte jetëshkurtër dhe u rrëzua në mes të pandemisë COVID-19, të cilën ne e menaxhuam jashtëzakonisht mirë. Por pastaj, këtë vit, në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne fituam me një fitore bindëse. Gara jonë ishte kundër atyre që udhëhoqën për dy dekada dhe përdorën para të korruptuara dhe institucione shtetërore për t’i bindur votuesit, përderisa ne garonim me idetë tona. Fitorja jonë më 14 shkurt tregon se ka fuqi në ide, se ka fuqi në të qenit i ndershëm dhe i denjë; në të qenit parimor dhe të udhëheqjes me shembull.

Radari.al