Një 58-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se pajiste me certifikata të falsifikuara dezinfektimi subjekte të ndryshme tregtare në qytetin e Beratit.

Në pranga ka përfunduar shtetasi me inicialet E.D., administrator i një subjekti privat që merret me kryerjen e dezinfektimeve.

Ky shtetas pajiste me certifikata të falsifikuara dezinfektimi subjetet tregtare në Berat, me qëllim përfitimin e shumave monetare.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë së Beratit për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv në sektorin privat”.

“Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe përfitimit monetar nga kjo veprimtari, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Berat, pas një hetimi tremujor, finalizoi operacionin “Certifikata”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi i shtetasit: E. D. 58 vjeç, banues në Berat.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. D., me detyrë administrator i një subjekti që kryen dezinfektime, ka pajisur subjekte të ndryshme tregtare, me certifikata dezinfektimi të falsifikuara, kundrejt përfitimeve monetare.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Radari.al