Partia Demokratike grisi fletët e votimit me emrin e saj në momentin që Lindita Nikolla po zgjidhej si Kryetare e Kuvendit.

Pak javë, pasi mori detyrën e Kryeparlamentares, Nikolla vetëofrohet si ndërmjetësuese mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa shprehet e gatshme për të mbështetur kërkesat në ngritjen e komisioneve hetimore. 

Në fakt ngritja e Komisioneve Hetimore është një vendim i detyrueshëm i Kuvendit, kjo i sanksionuar edhe nga Gjykata Kushtetuese vite më parë.

“Unë do të bëja gjithçka që të mundësoja dialogun dhe komunikimin. Në funksion të komunikimit, për këdo do të isha disponibël”, tha Nikolla.

“Besoj që do të dëshiroja të mbahesha mend si një Kryeparlamentare që i dha mundësi Parlamentit të Shqipërisë, që të ishte më i hapur dhe të ofronte më shumë qytetari, më shumë etikë”, tha ajo.

Nuk dihet nëse Nikollës do t´i besohet roli i një negociatoreje, në kushtet kur Kuvendi i drejtuar prej saj nuk po arrin të gjejë qoftë edhe një zgjidhje lidhur me veprimtaritë e Komisioneve Parlamentare, ku PS ka vendosur zhvillimin e mbledhjen online, ndërsa opozita insiston në mbledhjet fizike të Komisioneve.

Radari.al