Një dietë mesdhetare e pasur me vaj ulliri, arra, peshk, fruta, perime dhe verë ul me 30% rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardio-vaskulare, sipas studimit më të gjerë të bërë ndonjëherë deri sot.

Ky studim klinik është kryer në Spanjë me 4.479 persona, burra e gra, nga mosha 55 deri në moshën 80 vjeç, për një periudhë 5-vjeçare. Studimi është realizuar nga një grup pedagogësh të Universitetit të mjekësisë në Barcelonë.
Nga ky studim rezultoi se një dietë ushqimore mesdhetare pa kufizime sasiore, e plotësuar me disa lugë vaj ulliri ose me arra, redukton në mënyrë të ndjeshme rrezikun e krizave të zemrës dhe problemeve serioze vaskulare cerebrale tek personat me rrezikshmëri të lartë për sëmundje kardio-vaskulare.

Shtatë gota verë në javë

Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe, grupi i tretë nuk mbajti dietë mesdhetare. Grupi i parë mbajti një dietë tradicionale mesdhetare, duke konsumuar të paktën katër lugë gjelle vaj ulliri në ditë.
Grupi i dytë, edhe ai mbajti dietë mesdhetare dhe përdori rreth 30 g arra, bajame dhe lajthi në ditë, në vend të vajit të ullirit.
Pjesëmarrësit e këtyre dy grupeve konsuamuan të paktën tre racione frutash dhe dy racione perimesh çdo ditë. Ata duhej të hanin edhe peshk tre herë në javë, të evitonin përdorimin e mishit të kuq e të përdornin mish të bardhë, si p.sh., pulë. Atyre iu kërkua gjithashtu të mos përdornin ëmbëlsira dhe biskota industriale dhe të kufizonin produktet e qumështit dhe sallamrat.
Në fund, ata që ishin mësuar me verë, përdornin të paktën shtatë gota verë në javë si shoqëruese e ushqimit.

Vajrat e ullirit dhe arrat

Studiuesit u siguruan që pjesëmarrësit e kishin mbajtur dietën mesdhetare të përcaktuar nga ata, duke matur hidroksitirosolin në urinë, një tregues i konsumit të vajit të ullirit. Për arrat dhe bajamet, ata bënë testin e përmbajtjes së acidit linolenik në gjak.
Autorët vlerësojnë se vaji i ullirit dhe arrat ndoshta janë shkaku i efekteve pozitive të regjimit mesdhetar në dy grupet e para.
Sipas tyre, ky studim bën të mundur të bëhet krahasimi i efekteve të këtij ushqimi me ato të ushqimit të ashtuquajtur perëndimor, në të cilin mishi i kuq, ushqimet industriale dhe lëngjet zënë një vend të rëndësishëm.

Radari.al