Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është takuar këtë të mërkurë me homologun e tij austriak, Karl Nehammer. Pas takimit, ata kanë pasur një prononcim të shkurtër për mediat. Çuçi është pyetur nga gazetarët për vrasjen e oficerit Saimir Hoxha dhe tha se do të përcillet në banesën e fundit “Dëshmori i Atdheut”. Ndër të tjera, Çuçi tha se fenomeni i kultivimit të kanabisit është zvogëluar dhe beson se ky vit do të jetë një ndër më të suksesshmit në luftën ndaj trafikut dhe kanabisit.

“SHÇBA bën punën e saj para ligjit, mos merruni me këtë çështje, sot do të përcjellim Dëshmorin e Atdheut. E keni gabim, statistika ka, botohen çdo muaj. Kemi statistikat që publikohen periodikisht bashkë me partnerët tanë. Lufta kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit ka shënuar majën, e tregojnë shumë këtë. Së pari numri i tregtarëve e parcelave të asgjësuara, e dyta presioni që është ngritur dhe nga trafikantët në lidhje me mungesën në treg të këtij produkti narkotik. Janë dhe të dhëna, asnjë gomone në Itali sivjet e kapur me kanabis nga forcat italiane, vetëm ne kemi kapur. Rritja e çmimit po ashtu. Ky fenomen është zvogëluar dhe besoj do të jetë një ndër vitet më të suksesshëm të luftës ndaj trafikut e luftës kundër kanabisit”, tha ministri Çuçi.

Homologu i Çuçit, Nehammer, i ka shprehur ngushëllimet familjes së policit të vrarë të martë.

“Patëm biseda shumë të frytshme me njëri tjetrin. Duan t’i shpreh ngushëllimet familjes së policit të vrarë dje, dhe po i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ministri i Brendshëm më informoi për ngjarjen dje”, tha ai.

Ministri Federal i Punëve të Brendshme të Austrisë zbardhi edhe se për çfarë ka diskutuar me Çuçin. Mes të dyve është rënë dakord për disa projekte të përbashkëta, ndër to edhe programet e trajtimit për njësitë speciale. Nehammer tha se Shqipëria është partner i rëndësishëm strategjik dhe i besueshëm sa i takon fushës së sigurisë.

“Ne folëm për bashkëpunimi policor. Ramë dakord për projekte të përbashkëta. Ramë dakord dhe për programet e  trajtimit për njësitë speciale. Një forcim të bashkëpunimit me luftën e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin. Ne në këtë kuadër Shqipëria është një partner i rëndësishëm strategjik, i gëzohet edhe pjesëmarrjes së Shqipërisë në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, i gëzohemi një bashkëpunimi dhe fushe të përbashkët.

Besoj se sot policia shqiptare për sa i takon fushës së sigurisë është një partner i besueshëm i gjithë vendeve Europiane. Kemi operacione të përbashkëta me policinë europiane, gjermane, austriake me më shumë se 10 vende konkrete për të luftuar emigracionin e jashtëligjshëm”, tha ministri austriak.

Radari.al