Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen do të vizitojë sot Shqipërinë. Presidentja e Komisionit Europian pritet që të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta. Mësohet se së bashku me kreun e qeverisë Edi Ramën do të marrë pjesë ne inagurimin e shkollës ‘Korb Muça’ dhe kopshtin ‘Europa’ financuar nga fondet e Bashkimit Europian.

Axhenda e vizitës së Von Der Leyen:

8:45-Pritja te Pallati i Brigadave me ceremoni

Rreth orës 9:00-Takimi me Kryeministrin Ramën

Rreth orës 10:00 është parashikuar një takim me Presidentin Meta

Pas kësaj Von Der Leyen dhe Kryeministri Rama do të vizitojnë shkollën “Korb Muça” në Qerekë të Krujës, shkollë e cila është rindërtuar përmes programit ‘BE për shkollat’ pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Pas vizitës aty do të ketë edhe një konferencë për shtyp të përbashkët të Kryeministrit dhe Komisioneres Ursula Von Der Leyen.

Në fjalimin e saj vjetor mbi gjendjen e Bashkimit Evropian para Parlamentit të BE -së, Von der Leyen theksoi edhe njëherë mbështetjen e saj për integrimin e Rajonit në BE, duke thënë se është një detyrim për të rinjtë që besojnë në ëndrrën europiane.

Sipas Presidentes së KE, BE dhe Ballkani Perëndimor do të jenë gjithmonë më të fortë së bashku.

“Para fundit të muajit, unë do të udhëtoj në rajon për të dërguar një sinjal të fortë të angazhimit tonë në procesin e pranimit. Ne ua kemi borxh të gjithë atyre të rinjve. Para fundit të muajit, do udhëtoj në Ballkan për të përçuar angazhimin tonë për anëtarësimin në BE.  Ne ia kemi detyrim këtë të rinjve, që besojnë në të ardhmen evropiane. Ne po rrisim investimet në Ballkanin Perëndimor me rreth një të treten e prodhimit të brendshëm bruto të rajonit.  Investimi në të ardhmen e Ballkanit është një investim për BE-në” deklaroi ajo.

Vizita e Presidentes së KE në vendin tonë vjen pas vizitës së Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila nënvizoi se Ballkani Perëndimor ka shumë miq në Europë, duke kërkuar nga BE të mbajë fjalën për integrimin e Rajonit.

Po ashtu ku udhëtim i Von der Leyen vjen para samitit BE-Ballkan Perëndimor, që do të mbahet më 8 tetor në Slloveni, ku në fokus do të jetë procesi i zgjerimit.

Radari.al