Pastërtia e Tokios, diversiteti i New York deh shërbimet sociale të Stockholm, ishin vizionet kryesore të miliarderit amerikan Marc Lore për qytetin e ri me 5 milionë banorë për të cilin ka pajtur një arkitekt me famë botërore për të ndërtuar.

Qyteti do të ketë nevojë për një vend për t’u ndërtuar, dhe rreth $400 miliardë në fonde.

Ish drejtori i supermarketeve Walmart ka prezantuar kësaj jave planet për ‘Telosa’, metropolin e qëndrueshëm që shpreson të krijojë nga hiçi në shkretëtirën amerikane. Propozimi ambicioz i qytetit te rreth 80 000 hektarëve premton arkitekturë ekologjike, prodhim të qëndrueshëm energjie dhe një sistem të shpërndarjes së ujit, rezistent ndaj thatësirës.Ndërsa një sistem transporti i quajtur “dizajn 15-minutësh qytetar” i lejon rezidentëve të kryejnë udhëtimet e përditshme për në punë ose në shkollë brenda çerek ore.

Planifikuesit tashmë po kërkojnë për vendndodhjen e mundshme, ku si objektiva të mundshëm janë Nevada, Utah, Idaho, Arizona, Texas apo rajoni i Apalasheve.

Lore është krijues i rrjetit jet.com para se ta shiste te Walmart dhe të bashkohej me gjigantët e shitjeve online në 2016. Ai është larguar nga kompania këtë vit duke thënë se në planet e pensionit dëshiron të punojë me programet televizive ‘reality TV show’, kompanitë e reklamave si dhe “ndërtimin e qytetit të së ardhmes.”

Në faqen e internetit të ‘Telosa’, Lore shpjegon se është frymëzuar për vizionin nga ekonomisti e teoristi Henry George. Investitori citon gabime strukturore te kapitalizmi, shumica e të cilave i atribuohen “modelit të pronësisë së tokës mbi të cilin është ndërtuar Amerika.”

Njoftimi si zakonisht u shoqërua me një seri krijimesh dixhitale për pamjen e ardhshme të vendit, të krijuara nga grupi arkitekturor Bjarke Ingels Group (BIG), e cila ishte pajtuar për të sjellë në jetë, atë që rrjeti CNN quante “ëndrrën utopike të Lore”.

Sipas planit faza e parë e ndërtimit do të akomodojë 50,000 rezidentë në rreth 800 hektarë, me një kosto prej $25 miliardë. Projekti do të zhvillohet më pas në $400 miliardë dhe qyteti do të arrijë masën e tij të programuar prej 5 milionë banorësh brenda 40 viteve.

Financimet do të vijnë nga “burime të ndryshme,” sipas organizatorëve, duke përfshirë investitorë privatë, filantropistë, grante të shteteve apo të qeverisë federale.

Planifikuesit do të flasin së shpejti me zyrtarët me qëllim akomodimin e rezidentëve të parë në vitin 2030.

Në videon promocionale Lore e përshkruante propozimin si “qyteti më i hapur, më i drejtë dhe më inkluziv i botës”.

Radari.al