Policia italiane njoftoi arrestimin e një 31-vjeçar shqiptar, të akuzuar për posedim të paligjshëm të drogës, me qëllim trafikimin e saj.

Shqiptari, që jetonte në Verona, ishte prej kohësh nën vëzhgimin e organeve të policisë, për shkak të lëvizjeve të tij të dyshimta.

Efektivët e ndoqën kur ai doli nga shtëpia e tij me makinë dhe më pas e ndaluan për kontroll.

Shenjat e nervozizmit që shfaqi shqiptari e shtynë policinë të zgjerojë kontrollin. Në kroskotin e makinës u gjet më shumë së një kilogram heroinë të mbështjellur në një qeskë.

Kërkimet vijuan në banesë, ku gjithashtu u gjet një sasi e vogël marijuane, ndërsa në garazh u zbuluan një kilogram shtesë marihuanë, 400 gramë heroinë, një aparat aerosol që përmbante reagjentë të heroinës, mbi 35 kilogramë substancë që shërben si përzierës, një kallëp metalik me pllaka të bashkangjitura, tipike për ato që përdoren për paketimin e “pllakave” të drogës, si dhe një presë pneumatike, dy përzierës dhe materiale të tjera të ndryshme (kaseta, qese celofani, etj.) për paketim dhe shitje.

Lënda narkotike e sekuestruar arrinte në vlerën e 10 mijë eurove, sipas mediave italiane. Pasi u prangos, ai u dërgua në burgun e Veronës

Radari.al