Edlira Naqellari dhe 8 te hetuarit e tjerë për tenderin abuziv, me uniformat e Policisë së Shtetit do të dalin para Gjykatës së Posaçme të Apelit në 30 korrik.

Zyrtarët kanë apeluar masat e sigurisë lënë në fuqi në Shkallë të Parë duke kërkuar zbutje të tyre, me argumentin se nuk ka kushte ligjore për të qëndruar në burg.

9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme akuzohen nga SPAK për shkelje te barazisë në tender, pasi ka dyshime për shkelje të rënda në tenderin prej 2.8 miliardë lekë.

Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Sipas dosjes nga hetimet e SPAK ka rezultuar se, shkelja e parë e kryer nga zyrtaret e ministrisë së Brendshme është mënyra e ndjekur mbi procedurat  e tenderit. Po kështu të arrestuarit, kanë bashkuar tre objekte të tenderimit në një të vetëm, duke favorizuar kështu mundësinë që një kompani të kualifikohej nëse kryente shërbime për të paktën tre zëra.

Sipas prokurorisë, zyrtarët e ministrisë kanë ndërhyrë edhe në zërat e tenderit në mënyrë që të përshtateshin me ofertën e kompanisë që e ka fituar tenderin. ndërkohë hetimet janë në vijim ku SPAK është duke kryer hetime intensive edhe për persona të tjerë dhe zyrtarë të Ministrisë  së Brendshme.

Radari.al