Djali i ish-drejtuesit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, i cili mban të njëjtin emër, u kap pak ditë më parë me disa doza kanabis teksa udhëtonte me shokun e tij. Pavarësisht se Azem Hajdari në momentin e shoqërimit ra në ujdi me shokun e tij, Ergi Gjumsi, për të marrë ai përsipër posedimin e lëndës narkotike,”hileja” e tij është zbuluar nga Policia.

Burime bëjnë me dije se biseda mes dy shokëve është përgjuar duke u zbuluar planin. Gjatë kontrollit fizik të Azem Hajdarit, në xhepin e majtë të tuteve sportive është gjetur një cigare të dredhur, me filtër, e mbushur me lëndë e dyshuar si ajo e kannabis sattiva. Po ashtu, në makinën në të cilën qarkullonin, kishte dhe një çantë kafe, brenda të cilës ishin fshehur 5 paketime të mbështjella me letër alumini ngjyre varaku, ku brenda tyre kish material bimor që për nga aroma dhe karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike bimore te llojit ”Cannabis sattiva”.

E gjithë sasia e drogës e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ishte 8.8 gramë, duke përfshirë dhe ambalazhin. Tre të rinjtë, pasi me të udhëtonte dhe një 19-vjeçare nga Lushnja, po shkonin nga Tirana në Pogradec, sipas tyre për të kaluar fundjavën tek shtëpia e Ergit.

Dëshmia e Azemit

Hajdari ka pohuar se nuk është përdorues i ndonjë lëndë narkotike. Ai ka treguar në polici se më datë 23 korrik 2021, ka shkuar në shtëpinë e shokun të tij, Ergi Gjumsi, për t’u nisur për Pogradec. Para se të nisej, i ka marrë një palë tuta dhe një bluzë, të cilat i kishte veshur dhe nuk kishte parë tek to cigaren e dredhur. Po ashtu, ai tha se edhe çanta ishte e Ergit.

Ndërsa shoku ka marrë përsipër çdo gjë…

“…jam përdorues i kësaj lënde narkotike prej disa vitesh dhe për herë të fundit kam konsumuar ditën e djeshme. Lëndën narkotike deklaroj se e kam blerë atë ditë te një person të cilin nuk e njoh, në afërsi të vendit të quajtur “Parku i autobuzave” në qytetin e Tiranës. Lidhur me dozat e gjetura unë deklaroj se kam blerë pesë cope me qëllim për ti konsumuar gjatë pushimeve verore…”.

Mirëpo, ndryshe nga sa u pretendua çanta ku është gjetur lënda narkotike i përket Azem Hajdarit, pasi brenda kishte faturën e parkimit të mjetit tek një lokal ku edhe kishte shkuar me të dashurën e tij më 18 korrik 2021. Në qelinë e paraburgimit, përgjimi ambiental zbuloi se Azem Hajdari i kishte kërkuar mikut të tij ta merrte përsipër përgjegjësinë.

Nisur nga kjo situatë të dy miqve u është komunikuar arrestimi, por për shkak se Azem Hajdari, është në vitin e fundit të shkollës dhe për shkak se ende, prokuroria nuk është njohur me rezultatet e akteve të ekspertimit-biologjik, është kërkuar caktimi i masës së “arrestit në burg” me afat 1 mujor.

Radari.al